Radhë në kufirin me Greqinë, mijëra udhëtarë në Kakavijë dhe Qafë Botë

Fluksi i lartë i udhëtarëve gjatë sezonit veror ka shkaktuar radhë të gjata në pikat kryesore kufitare me Greqinë, veçanërisht në Kakavijë dhe Qafë Botë.

Gjatë 24 orëve të fundit, në Qafë Botë janë përpunuar rreth 10 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj, me fluks më të madh në hyrje të Shqipërisë. Radhë automjetesh janë krijuar në të dyja anët e kufirit.

Në Kakavijë, vetëm më 14 gusht janë përpunuar 11 755 shtetas, prej të cilëve 7 618 kanë hyrë në Shqipëri, ndërsa 4 137 kanë dalë nga vendi. Po gjatë kësaj dite janë përpunuar 3 459 automjete, 2 259 në hyrje dhe 1 200 në dalje.

Për menaxhimin e situatës dhe përshpejtimin e procedurave, drejtues të Policisë Kufitare shqiptare dhe homologët e tyre grekë zhvilluan një takim në Qendrën e Përbashkët të Kontaktit për Bashkëpunimin Policor dhe Doganor në Kakavijë.

Palët kanë rënë dakord për intensifikimin e masave të përbashkëta, me qëllim reduktimin e radhëve dhe përshpejtimin e kontrolleve kufitare.

Në Qafë Botë, pala shqiptare po operon me katër sportele, ndërsa pala greke me dy sportele.

Autoritetet kufitare bëjnë me dije se koordinimi do të vijojë edhe gjatë ditëve të ardhshme, ndërsa qytetarëve që udhëtojnë drejt Greqisë apo kthehen në Shqipëri u kërkohet të llogarisin kohë shtesë për kalimin e kufirit.