Pika e kalimit kufitar të Qafë-Thanës po përballet edhe këtë sezon veror me fluks të lartë lëvizjesh, duke shkaktuar radhë kilometrike dhe pritje të gjata për udhëtarët, të cilët detyrohen të presin në temperatura që kalojnë 30°C.
Situata rëndohet veçanërisht gjatë fundjavave, por edhe në ditët e fundit të korrikut, kur qindra automjete krijojnë kolona në të tre korsitë, si në hyrje ashtu edhe në dalje të pikës kufitare.
Edhe pse rreth një muaj më parë ministritë e Brendshme të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nënshkruan një marrëveshje për zbatimin e sistemit “One Stop”, me vetëm një kontroll në hyrje dhe dalje, kjo skemë ende nuk është vënë në funksion.
Sipas burimeve, shkak mbetet mungesa e programit të përbashkët informatik mes dy palëve, çka bën që kontrollet të vijojnë të kryhen veçmas nga autoritetet e të dy vendeve.
Në ditët e zakonshme të javës, koha e pritjes arrin rreth një orë, ndërsa gjatë fundjavave udhëtarët presin nga 90 deri në 120 minuta për të kaluar kufirin.
Gjatë tre muajve të sezonit veror, nëpër pikën kufitare të Qafë-Thanës hyjnë dhe dalin mbi 1 milion shtetas, duke e bërë atë një nga pikat më të ngarkuara kufitare në vend.










