Qeveria synon të forcojë sigurinë rrugore përmes rishikimit të kufijve të shpejtësisë dhe zgjerimit të monitorimit elektronik të automjeteve në rrjetin kombëtar. Masat janë pjesë e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Rrugore 2026–2030 dhe planit të veprimit të publikuar në Fletoren Zyrtare.
Sipas dokumentit, gjatë periudhës 2027–2029 do të instalohen kamera për matjen e shpejtësisë dhe sinjalistikë inteligjente në pika të përzgjedhura të rrugëve, të integruara me Qendrën e Kontrollit dhe Menaxhimit të Trafikut. Zbatimi i projektit do të drejtohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në bashkëpunim me Policinë Rrugore, institucionet e transportit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Strategjia parashikon gjithashtu rishikimin e kufijve të shpejtësisë sipas parimit të “Sistemit të Sigurt”, duke i përshtatur ato me karakteristikat e rrugëve, nivelin e mbrojtjes së automjeteve dhe rrezikun e secilit segment.
Në zonat urbane do të zbatohen masa për qetësimin e trafikut, veçanërisht pranë shkollave dhe zonave me fluks të lartë këmbësorësh. Ndërkohë, autoritetet do të monitorojnë edhe përqindjen e automjeteve që respektojnë kufijtë e shpejtësisë, tregues që do të përdoret për të vlerësuar efektivitetin e strategjisë dhe për të orientuar kontrollet policore.










