Qeveria paralajmëron penalitete për kompanitë e aeroportit të Vlores

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të vendosë penalitete ndaj kompanive “Mabco” të Behgjet Pacollit dhe “VIA” të Valon Ademit, të përfshira në kontratën koncesionare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Ministri Enea Karakaçi deklaroi se aeroporti ende nuk është operacional, edhe pse sipas kontratës infrastruktura dhe certifikimet për operimin ajror duhet të kishin përfunduar tashmë.

Duke folur për mediat, Karakaçi tha se nuk ka përfunduar totalisht infrastruktura civile dhe nuk janë marrë certifikatat përkatëse që mundësojnë operimin ajror. Ai theksoi se këto detyrime duhej të ishin realizuar në këtë fazë të projektit dhe për këtë arsye ministria do të zbatojë penalitetet e parashikuara në kontratë ndaj subjekteve tregtare të përfshira.

Ministri nënvizoi se përplasja mes dy kompanive është një mosmarrëveshje private që ka kaluar nga çështje civile në përplasje penale, por që sipas tij po sjell pasoja të drejtpërdrejta për aeroportin dhe për interesin publik. Sipas Karakaçit, konflikti po shkakton vonesa të mëtejshme në operacionalizimin e aeroportit dhe po dëmton reputacionin e këtij projekti strategjik.

Ai u shpreh se ngjarjet e fundit janë të papëlqyeshme si për qytetarët shqiptarë, ashtu edhe për shtetin, duke theksuar se aeroporti i Vlorës konsiderohet një vepër me rëndësi për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së zonës. Karakaçi shtoi se Ministria e Infrastrukturës do të zbatojë të gjitha klauzolat kontraktuale për të garantuar përfundimin dhe vënien në funksion të aeroportit, pavarësisht konfliktit mes kompanive.