Qeveria miraton zonën e lirë ekonomike në Vlorë, mbi 885 mijë m² për teknologji, logjistikë dhe industri

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e saj të sotme krijimin e zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE”, e cila do të ndërtohet në Bashkinë Vlorë dhe do të shtrihet në një sipërfaqe prej 885,557.6 metra katrorë.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, në këtë zonë do të zhvillohen aktivitete që lidhen me ekosistemin industrial logjistik dhe inovativ, teknologjinë industriale, automatizimin dhe inteligjencën artificiale, si edhe përpunimin mekanik të lehtë të metaleve, të kombinuar me metalurgji të pastër, trajtime sipërfaqësore jondotëse dhe energji të rinovueshme.

Periudha e funksionimit të zonës është përcaktuar 35 vjet, me të drejtë zgjatjeje deri në 99 vjet.

Po ashtu, Ministria përgjegjëse për ekonominë do të vërë në dispozicion të projektit pasuritë e paluajtshme shtetërore në zonat kadastrale 8604 dhe 2765 në Bashkinë Vlorë, me tarifën simbolike prej 1 euro për kontratë.

Me të njëjtin vendim, shoqëria “RAMS ALBANIA” sh.p.k. është shpallur zhvillues i zonës ekonomike me procedurë jokonkurruese, në cilësinë e subjektit përfitues me statusin “Investim/investitor, procedurë e veçantë”, në zbatim të vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike.