Punonjësit e Bashkisë Rrogozhinë kanë bojkotuar punën paraditen e së hënës, duke protestuar kundër draft-propozimit të reformës territoriale që parashikon bashkimin e kësaj bashkie me Bashkinë e Kavajës.
Rreth orës 09:00, punonjësit lanë zyrat dhe u mblodhën përpara godinës së bashkisë, ku shprehën kundërshtimin ndaj projektit, duke argumentuar se Rrogozhina i plotëson kriteret për të funksionuar si njësi vendore më vete. Sipas tyre, bashkia ka kapacitetet e nevojshme administrative, financiare dhe njerëzore, ndërsa theksuan se funksionon si bashki prej më shumë se 35 vitesh, shumë përpara reformës territoriale të vitit 2015.
Gjatë protestës, punonjësit kundërshtuan edhe argumentet e paraqitura nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, duke pretenduar se të dhënat e përdorura për vlerësimin e Bashkisë Rrogozhinë nuk pasqyrojnë situatën reale dhe se njësia është vlerësuar pozitivisht edhe mbi bazën e rezultateve të censusit.
Në përfundim të tubimit, protestuesit i bënë thirrje Kryeministrit Edi Rama, Presidentit Bajram Begaj dhe Komisionit për Reformën Territoriale që të rishqyrtojnë draftin dhe të mos miratojnë shkrirjen e Bashkisë Rrogozhinë.
Sipas tyre, bashkimi me Kavajën do të sillte pasoja në ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe do të ndikonte negativisht në zhvillimin e zonës, duke përmendur si potenciale të rëndësishme turistike plazhin e Spillesë dhe Kalanë e Bashtovës. Ata paralajmëruan se kundërshtimi do të vijojë dhe mund të përshkallëzohet nëse drafti avancon drejt miratimit.










