Punonjësit e “Bankers”kërkojnë ndërhyrjen e Inspektoratit të Punës: Pretendojnë shkelje të të drejtave dhe sigurisë në punë

Punonjës të shoqërisë “Bankers Petroleum Albania” kanë kërkuar ndërhyrjen e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, duke ngritur pretendime për moszbatim të detyrimeve ligjore nga kompania.

Në një shkresë zyrtare të datës 06.08.2026, drejtuar Inspektoratit të Punës dhe me dijeni të institucioneve përgjegjëse, punonjësit kërkojnë marrjen e masave për zbatimin e legjislacionit të punës, duke iu referuar edhe detyrave të lëna më herët nga ISHPSHSH.

Ndër shqetësimet e paraqitura në dokument janë pretendimet për kontrollin e punonjësve gjatë hyrjes në punë me qëllim verifikimin e pjesëmarrjes në grevë, veprim që sipas tyre bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi.

Gjithashtu, në shkresë ngrihet shqetësimi për organizimin e turneve të natës në departamentin elektrik, ku pretendohet se është i pranishëm vetëm një elektriçist, duke e konsideruar këtë si një problem që lidhet me sigurinë dhe shëndetin në punë.

Punonjësit bëjnë të ditur se i janë drejtuar më herët shoqërisë “Bankers Petroleum Albania” me shkresën nr. 27 prot., datë 14.04.2026, duke kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për zbatimin e detyrimeve ligjore.

Në kërkesën drejtuar Inspektoratit të Punës përmenden gjithashtu çështje që lidhen me kontratat individuale të punës, pushimet shtesë për punonjësit me statusin e naftëtarit dhe pagesat për paaftësi të përkohshme.

Punonjësit kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për garantimin e zbatimit të ligjit dhe shmangien e një konflikti kolektiv. Deri tani, shoqëria “Bankers Petroleum Albania” nuk ka bërë një reagim publik lidhur me pretendimet e ngritura në shkresë.