Protestë në Prrenjas kundër bashkimit të mundshëm me Librazhdin, qytetarët kërkojnë ruajtjen e statusit të bashkisë

Ka nisur këtë të martë protesta e paralajmëruar në Prrenjas kundër reformës së re territoriale, e cila parashikon një bashkim të mundshëm të kësaj bashkie me atë të Librazhdit.

Qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin kryesor të qytetit, duke shprehur kundërshtimin ndaj këtij propozimi. Protestuesit mbajnë flamuj kombëtarë, ndërsa organizatorët deklarojnë se tubimi zhvillohet pa simbole dhe parulla partiake.

Banorët kërkojnë që Prrenjasi të vijojë të jetë bashki më vete dhe kundërshtojnë çdo ndryshim të kufijve administrativë që do ta bashkonte me Librazhdin.

Gjatë aktivitetit, Bajazit Karriqi u bëri thirrje qytetarëve për bojkot të procesit zgjedhor, si formë reagimi ndaj problematikave që, sipas tij, nuk janë adresuar nga institucionet.

“Le ta bëjmë bojkot. Fjala e shqipes do të thotë nuk votoj”, deklaroi Karriqi, ndërsa të pranishmit e mbështetën me duartrokitje.

Ai ngriti gjithashtu shqetësime për gjendjen e bujqësisë dhe mungesën e mbështetjes për fermerët, duke kërkuar një vëmendje më të madhe për zhvillimin e zonave rurale.

Protestuesit kërkuan që përfaqësuesit politikë të jenë më pranë komunitetit dhe të japin llogari për premtimet dhe votat e marra. Ndërsa Karriqi u shpreh se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjegjësi nga të zgjedhurit e tyre.