Banorë të Bashkisë Patos kanë zhvilluar sot një protestë kundër planit të qeverisë për riorganizimin territorial dhe shkrirjen e Bashkisë Patos.
Protestuesit kundërshtojnë përfshirjen e Patosit në Bashkinë Fier, duke kërkuar që qyteti dhe njësitë përbërëse të vijojnë të funksionojnë si njësi e veçantë administrative.
Sipas banorëve, Bashkia Patos ka kapacitete të mjaftueshme financiare dhe administrative për të përballuar shpenzimet e saj dhe nuk është ndër bashkitë që mbështeten në mënyrë të vazhdueshme nga fondet e qeverisë.
Ata shprehen se ndryshimi i statusit administrativ mund të ndikojë në administrimin e territorit, ofrimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin e zonave rurale që aktualisht janë pjesë e Bashkisë Patos.
Protesta zhvillohet në kuadër të debatit për reformën e re territoriale, ndërsa banorët kërkojnë që vendimmarrja për të ardhmen administrative të Patosit të marrë në konsideratë specifikat ekonomike dhe sociale të zonës.










