Protestat kundër hartës së re territoriale vijojnë në disa bashki, qytetarët paralajmërojnë përshkallëzim

Protestat kundër projektit të ri të ndarjes territoriale të propozuar nga Partia Socialiste kanë vijuar edhe këtë të shtunë në disa bashki të vendit, ku qytetarët dhe drejtues vendorë kanë shprehur kundërshtimin ndaj shkrirjes së njësive të tyre.

Belsh, banorët u mblodhën në protestë kundër bashkimit të bashkisë me Elbasanin dhe nisën mbledhjen e firmave për një peticion kundër reformës.

Kundërshtime janë shfaqur edhe në Selenicë, ku qytetarët kundërshtojnë propozimin për bashkimin me Bashkinë Vlorë. Sipas tyre, ndryshimi do ta bëjë më të vështirë marrjen e shërbimeve publike.

Reagim të fortë ka bërë edhe kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Hil Curri, i cili e cilësoi nismën të njëanshme dhe paralajmëroi protesta, duke hedhur edhe idenë e zhvillimit të një referendumi lokal.

“Nuk do të jetë shumë e lehtë me u marrë me Bashkinë e Fushë-Arrëzit. Ne do t’u drejtohemi qytetarëve. Çdo deputet që voton këtë vendim do të shpallet person i padëshiruar nga komuniteti ynë,” deklaroi Curri, duke argumentuar se bashkimi do të dëmtojë shërbimet dhe do të përshpejtojë shpopullimin e zonës.

Ndërkohë, edhe deputeti socialist Erion Braçe ka shprehur rezerva ndaj propozimit të partisë së tij. Në një reagim publik, ai kërkoi që procesi të mos mbetet vetëm teknik, por të zhvillohet përmes konsultimeve të gjera me qytetarët.

“Duhet të dëgjojmë njerëzit tani! Jo thjesht udhëheqësit e bashkive, por njerëzit. Ky nuk është kurrë një proces i ftohtë teknik, por mbi të gjitha njerëzor,” shkroi Braçe, duke përmendur rastet e Poliçanit, Divjakës dhe Libohovës si bashki që, sipas tij, kanë histori, identitet dhe potencial zhvillimi.

Banorët në disa prej bashkive që preken nga reforma kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave nëse propozimi nuk rishikohet dhe nuk zhvillohen konsultime me komunitetet lokale.