Protesta / PE miratoi amendamentin për Vjosë-Nartën! Eurodeputetja kundër Ramës

Grupi i të Gjelbërve në Parlamentin Europian ka përshëndetur miratimin me shumicë të gjerë të amendamentit të tyre lidhur me zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, duke e cilësuar atë si një mesazh të qartë në mbrojtje të mjedisit dhe kundër projekteve që, sipas tyre, rrezikojnë ekosistemet më të ndjeshme të Shqipërisë.

Eurodeputetja italiane, Cristina Guarda ka reaguar në lidhje me protestat në Shqipëri, ku qytetarët janë revoltuar dhe kërkojnë largimin e kryeministrit Rama.

Përfaqësuesit e të Gjelbërve deklaruan nëpërmjet një video-mesazhi në rrjete sociale se kanë zgjedhur të pozicionohen hapur kundër ndërhyrjeve që po zhvillohen në zonën e Vjosë-Nartës, të cilat i konsiderojnë pjesë të një modeli zhvillimi turistik dhe ekonomik që shpërfill paralajmërimet e komunitetit shkencor, organizatave të shoqërisë civile dhe interesin publik.

Eurodeputetja, Guarda tha se Shqipëria ka shumë sfida përpara që lidhen me lirinë e shtypit, korrupsionin, presionet mbi drejtësinë, të drejtat e minoriteteve dhe  mbrojtjen e mjedisit. Po ashtu ajo thekson se kryeministri Rama duhet të dëgjojë kërkesat e protestuesve.

Sipas tyre, protestat paqësore të zhvilluara ditët e fundit tregojnë një shoqëri aktive, e cila mobilizohet për mbrojtjen e interesit të përbashkët dhe të territorit.

Të Gjelbrit vlerësuan angazhimin e qytetarëve që kundërshtojnë projekte të cilat, sipas tyre, favorizojnë interesa të ngushta private në dëm të mjedisit dhe komuniteteve lokale.

Në deklaratën e tyre u renditën gjithashtu një sërë çështjesh që kërkojnë përmirësim, përfshirë lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit, pavarësinë e sistemit të drejtësisë, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe garantimin e standardeve më të larta të mbrojtjes së mjedisit.

Grupi i të Gjelbërve i bëri thirrje autoriteteve shqiptare të vendosin menjëherë një moratorium për autorizimet e reja, kantieret dhe projektet që prekin zonat e mbrojtura, deri në krijimin e garancive të plota për ruajtjen e tyre.

“Duhet të ndalojmë këtë model zhvillimi dhe të dëgjojmë kërkesat e qytetarëve që po protestojnë për mbrojtjen e mjedisit dhe të territorit”, thuhet në reagimin e tyre pas votimit në Parlamentin Europian.