Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” në mungesë për shtetasin nën hetim D.I., i njohur edhe me identitetet I.K. dhe I.A., i dyshuar për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”.
Sipas organit të akuzës, shtetasi në fjalë dyshohet se ka përdorur dokumente të falsifikuara, të paraqitura si të lëshuara nga autoritetet e Izraelit, për të ndryshuar të dhënat e identitetit dhe për t’u pajisur më pas me dokumente shqiptare, përfshirë kartë identiteti dhe pasaportë biometrike.
Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit penal nr. 5052 të vitit 2026, rezulton se personi nën hetim, i dënuar më parë për mashtrim, ka kryer disa ndryshime të emrit dhe mbiemrit në zyrat e gjendjes civile në Vlorë dhe Tiranë. Prokuroria dyshon se këto veprime janë realizuar në kundërshtim me legjislacionin për gjendjen civile dhe mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara në gjuhën hebraike.
Për këtë çështje, Prokuroria ka kërkuar gjithashtu masën e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për punonjësen e gjendjes civile O.O. dhe specialistin e IT-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, A.K.
Sipas hetimeve, punonjësja e gjendjes civile dyshohet se ka pranuar dhe regjistruar një dokument të paraqitur si certifikatë e Ministrisë së Brendshme të Izraelit, pa kryer verifikimet e nevojshme ligjore për vlefshmërinë e tij.
Ndërkohë, hetuesit kanë konstatuar se ndryshimet e të dhënave në sistem janë kryer përmes një përdoruesi elektronik (user) që i përkiste një personi të dalë prej vitesh në pension. Sipas Prokurorisë, nga ky përdorues janë kryer një numër i konsiderueshëm ndryshimesh në regjistrat e gjendjes civile për persona me probleme me ligjin, të dënuar apo të deportuar nga vendet e Bashkimit Evropian.
Për këto arsye, organi i akuzës ka kërkuar masat përkatëse të sigurisë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar vijojnë.








