Prokuroria e Fierit sekuestron pasuritë e çiftit shqiptar që kapën me mbi...

Prokuroria e Fierit sekuestron pasuritë e çiftit shqiptar që kapën me mbi 580 kg lëndë kokainë në Greqi. 

1714
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Fierit ka sekuestruar pasuritë e çiftit shqiptar që kapën me mbi 580 kg lëndë kokainë në Greqi.     

Pasuritë e sekuestuara dyshohet se kanë prejardhje nga aktiviteti kriminal i Arjan Xhafajt, 50 vjeç nga Cakrani i Fierit dhe bashkëshortes së tij, Lutmira Xhafaj 42 vjeç, pronare e një bar-kafe në Cakran.

Çifti me banim në Fier dyshohet se kanë pastruar në vendin tonë të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari kriminale.

Prokuroria Fier sekuestron pasuritë e çiftit shqiptar të arrestuar me mbi 580 kg lëndë narkotike, kokainë në Greqi.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.1523, datë 02.11.2023, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Ky procedim penal ka filluar mbi bazën e informacioneve të publikuara në media dhe verifikimeve të kryera, sipas të cilave njoftohen të dhëna se shtetasit A. Xh. dhe L. Xh., me banim në Fier, janë arrestuar në Greqi për kapjen e 585 kg e 208 gramë lëndë narkotike “kokainë” dhe dyshohet se kanë pastruar në vendin tonë të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari kriminale.

Nga veprimet  hetimore të kryera në dinamikë në bashkëpunim me oficerët e policisë gjyqësore të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, shkëmbimit të informacionit me organet e tjera ligjzbatuese, si dhe analizimit e kryqëzimin të të dhënave të administruara, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier ka kërkuar në Gjykatë sekuestrimin e pasurive të dyshuara me prejardhje nga veprimtaria kriminale të shtetasve A.X. e L.Xh, si më poshtë:

Gjykata e Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe në vijim janë ngarkuar oficerët e policisë gjyqësore të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Hetimet për këtë çështje penale vazhdojnë. Prokuroria Fier është plotësisht e angazhuar dhe ka vendosur prioritet luftën kundër pastrimit të produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminal.

Biznes familjar” për trafikimin e drogës

Policia greke në bashkëpunim me DEA Amerikane sekuestroi më 28 shtator gjatë një operacioni antidrogë 585 kg kokainë në Selanik, dhe vuri në pranga 5 shqiptar, katër prej të cilëve me lidhje familjare me njëri-tjetrin.

Kreu i grupit dyshohet se është 50 vjeçari Arjan Xhafaj. Gjatë operacionit policia greke ka ndaluar në Selanik një automjet i cili rezultonte i marrë me qira, drejtues i të cilit ishte 21-vjeçari nga Cakrani i Fierit, Klevis Muskaj. Në mjetin e tij policia greke sekuestroi 239 pako me 280 kg 758 gram kokainë.

10 minuta më pas, është tentuar të ndalohet një tjetër mjet në zonën e “Neous Epibates”. Drejtuesi i makinës, në tentativë për t’u larguar, përplasi një mjet policie dhe më pas u përplas me rrethimin e një shkolle.

Ai u identifikua si Avelino Feimi, 33 vjec, nga Vlora. Dy drejtuesit e mjeteve, rezultojnë nipat e Arjan Xhafajt.

Policia greke vijoi me kontrollin në banesën e Xhafajt, ku u sekuestruan 23 pako me 26 kg 701 gram kokainë, 1 dedektor metalesh, 12 çanta IKEA, 1 prerës metalik, 1 pako doreza njëpërdorimshe, 1 palë gërshërë profesionale.

Në banesë veç tij dhe bashkëshortes, u gjet dhe u arrestua edhe Ilirian Baraj, 35 vjeç nga Fieri, me shtetësi greke. Gjatë kontrollit trupor të të arrestuarve, u gjetën dhe sekuestruan 7440 euro, 7 celularë, 4 karta bankare dhe shënime dore.

S'KA KOMENTE