Probleme globale me Facebook dhe Instagram, mijëra përdorues raportojnë ndërprerje të shërbimit

Facebook dhe Instagram janë përballur me probleme teknike mëngjesin e së dielës, duke lënë mijëra përdorues në mbarë botën pa akses të plotë në platformat e Meta.

Sipas faqes Downdetector, raportimet për ndërprerje nisën të shtohen rreth orës 09:30. Përdoruesit kanë raportuar vështirësi për t’u identifikuar në llogaritë e tyre, për të ngarkuar faqen kryesore dhe për të përdorur funksionet bazë të rrjeteve sociale.

Shumë persona që tentojnë të hyjnë në Facebook përmes shfletuesit shohin mesazhin “Account Temporarily Unavailable”, që tregon për një problem teknik në platformë.

Në celular, aplikacionet hapen normalisht për disa përdorues, por përmbajtja nuk rifreskohet dhe postimet e reja nuk ngarkohen. Edhe Messenger është prekur nga ndërprerja, ndërsa WhatsApp deri tani duket se po funksionon normalisht.

Deri në këtë moment, Meta nuk ka reaguar zyrtarisht për shkakun e problemit apo për kohën kur shërbimet do të rikthehen plotësisht.