Policia e Vlorës ka dhënë informacionin paraprak lidhur me aksidentin tragjik të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në zonën e Dajlanit, ku humbi jetën gazetari Enrik Mehmeti, rreth 40 vjeç, banues në Vlorë.
Sipas uniformave blu, rreth orës 21:40, Mehmeti po lëvizte me një motomjet me katër rrota (ATV) në një sipërfaqe bregdetare, jashtë zonës rrugore, kur dyshohet se humbi kontrollin mbi drejtimin e mjetit, i cili u përmbys.
Si pasojë e aksidentit, 40-vjeçari pësoi dëmtime të rënda trupore. Ai u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra, pavarësisht ndihmës së personelit mjekësor.
Në motomjet ndodhej edhe shtetasi K. S., rreth 18 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga verifikimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur jashtë zonës rrugore, në një sipërfaqe bregdetare, dhe nuk janë përfshirë mjete të tjera apo përdorues të rrugës.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të kësaj ngjarjeje aksidentale.










