Përplasje mes dy automjeteve në Fier–Seman, dy të plagosur në spital


Një aksident rrugor është shënuar mesditën e kësaj të mërkure në aksin Fier–Seman, pranë fshatit Ferem Çlirim, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin.

Si pasojë e përplasjes, të dy drejtuesit e mjeteve kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit për ndihmë mjekësore.

Sipas burimeve spitalore, gjendja shëndetësore e të lënduarve është e stabilizuar dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, si dhe po punojnë për rikthimin e normalitetit në qarkullim.