Përplasen një makinë dhe një minifurgon te “Pushimi i Shoferit”, plagoset një person

Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e së mërkurës në kryqëzimin e njohur si “Pushimi i Shoferit”, në autostradën Lushnjë–Fier.

Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip Volkswagen, që po hynte në autostradë nga rruga dytësore, është përplasur me një minifurgon që po lëvizte në drejtim të Fierit.

Si pasojë e përplasjes ka mbetur i plagosur drejtuesi i Volkswagen-it, i cili është transportuar në Spitalin e Lushnjës për të marrë ndihmë mjekësore. Burime paraprake bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po punojnë për normalizimin e qarkullimit dhe për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.