Situata e zjarreve në vend është përmirësuar ndjeshëm. Nga 9 vatra të evidentuara gjatë ditës, 4 janë shuar plotësisht, ndërsa zjarret në disa zona të tjera janë izoluar dhe vijojnë të mbahen nën monitorim.
Në Mallakastër, ku situata gjatë dy ditëve të fundit ka qenë problematike, zjarri në zonën Riban-Ngraçan-Panahor është izoluar plotësisht në të gjithë perimetrin. Zona vijon të mbahet nën mbikëqyrje, ndërsa flakët kanë përshkuar rreth 180 hektarë pyje.
Edhe në Çikallesh të Kavajës, ku zjarri ishte afruar pranë banesave, është arritur izolimi i plotë i vatrës. Në operacion morën pjesë forcat zjarrfikëse të Kavajës, Kamzës dhe Rrogozhinës, të mbështetura nga ajri me avionin “Air Tractor”. Zona vijon të monitorohet për të parandaluar riaktivizimin e flakëve.
Nën kontroll është vënë edhe zjarri në Plan të Bardhë të Klosit, ku flakët, të favorizuara nga era, kishin rrezikuar banesat dhe rrjetin elektrik. Në operacion u angazhuan forca zjarrfikëse nga disa bashki, Policia e Shtetit, strukturat vendore, vullnetarë dhe 25 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në Dajt, pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe helikopterit të Forcës Ajrore, zjarri është shuar dhe zona po mbahet nën monitorim. Plotësisht është shuar edhe vatra në Priskë.
Të shuara plotësisht janë edhe vatrat në Kostren 2 të Beratit dhe Uruç të Peqinit.
Ndërkohë, një vatër e re zjarri është raportuar në Alikomemaj të Memaliajt, në një sipërfaqe të mbuluar me pisha. Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për neutralizimin e flakëve.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në tërësi situata paraqitet e stabilizuar dhe aktualisht nuk ka vatra problematike që rrezikojnë komunitetin apo zonat e banuara. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e tjera vijojnë monitorimin e zonave të prekura.










