Perimet shtrenjtohen 8.5% në qershor, pavarësisht sezonit të prodhimit vendas

Çmimet e perimeve në Shqipëri shënuan një rritje të ndjeshme gjatë muajit qershor, edhe pse kjo periudhë përkon me kulmin e prodhimit vendas. Sipas të dhënave të INSTAT, grupi “Perime, zarzavate dhe bishtajore” u shtrenjtua me 8.5% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, duke regjistruar një rritje gati trefish më të lartë se inflacioni mesatar i ushqimeve, i cili ishte 3%.

Rritja e çmimeve konsiderohet e pazakontë për këtë periudhë të vitit, pasi oferta sezonale zakonisht ndikon në uljen e tyre. Megjithatë, tregu ka ndjekur një prirje të kundërt.

Ekspertët e lidhin këtë zhvillim me disa faktorë, mes të cilëve rritja e kostove të prodhimit dhe transportit, kërkesa më e lartë gjatë sezonit turistik, si edhe orientimi i një pjese të prodhimit drejt eksporteve, ku çmimet janë më të favorshme.

Sipas INSTAT, rritjen më të lartë mes produkteve ushqimore e shënuan peshku dhe produktet e detit me 9%, ndërsa pas tyre renditen perimet me 8.5%. Mishi u shtrenjtua me 4.2%, qumështi, produktet e bulmetit dhe vezët me 2.4%, sheqeri dhe ëmbëlsirat me 2.5%, vajrat dhe yndyrat me 1.7%, ndërsa drithërat dhe produktet me bazë drithërash me 0.9%.

Në të kundërt, frutat ishin i vetmi grup ushqimor që regjistroi ulje çmimesh, me 2.8% më pak se një vit më parë.

Të dhënat tregojnë se presioni mbi buxhetet familjare vazhdon të vijë nga produktet bazë të konsumit. Gjatë verës, rritja e kërkesës nga sektori i turizmit dhe eksportet, së bashku me kostot më të larta të prodhimit, po ndikojnë në mbajtjen e çmimeve të perimeve në nivele të larta, pavarësisht sezonit të bollshëm bujqësor.