Përfshihet nga flakët furgoni në Lushnjë

Një furgon me targa të Maqedonisë së Veriut është përfshirë nga flakët mëngjesin e kësaj të shtune në Lushnjë, pranë rrugës që të çon drejt Këmishtajt. Automjeti po transportonte një ngarkesë me zogj të vegjël të fushës, të importuar nga Maqedonia e Veriut.

Drejtuesi i furgonit ka konstatuar zjarrin pasi kishte dalë nga autostrada dhe kishte marrë kthesën në drejtim të Këmishtajt, pranë një pikepushimi për drejtuesit e mjeteve.

Pas marrjes së njoftimit, shërbimet zjarrfikëse të Lushnjës kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve, të cilat kishin përfshirë kabinën e drejtuesit dhe një pjesë të automjetit.

Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë, dëmet materiale kanë qenë të konsiderueshme. Një pjesë e ngarkesës është dëmtuar, ndërsa më shumë se gjysma e zogjve kanë ngordhur.

Sipas vlerësimeve paraprake të shërbimit zjarrfikës, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një defekt teknik në sistemin e kondicionimit, në pjesën e pasme të furgonit ku mbahej ngarkesa.

Grupi hetimor po vijon punën për përcaktimin e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes.