Zjarr në Fier-Shegan, përfshihet nga flakët banesa e një çifti të moshuarish

Një banesë dykatëshe është përfshirë nga flakët pasditen e kësaj të hëne në zonën e Fier-Sheganit, ku jetonte një çift të moshuarish.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka shpërthyer në katin e parë të banesës. Menjëherë pasi kanë konstatuar flakët, familjarët kanë njoftuar shërbimin zjarrfikës, ndërsa të afërm dhe banorë të zonës kanë ndërhyrë duke nxjerrë në kohë dy bashkëshortët nga banesa, të cilët fatmirësisht nuk kanë pësuar lëndime.

Në vendngjarje kanë mbërritur dy mjete zjarrfikëse nga Lushnja, të cilat kanë bërë të mundur izolimin e flakëve dhe kanë shmangur përhapjen e zjarrit drejt banesave përreth.

Pas neutralizimit të zjarrit, në zonë ka mbërritur edhe një ambulancë për të kontrolluar gjendjen shëndetësore të dy të moshuarve.

Sipas të dhënave paraprake nga shërbimi zjarrfikës i Lushnjës, dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një defekt në instalimin elektrik. Megjithatë, grupet përkatëse vijojnë verifikimet për të përcaktuar shkakun e saktë të ngjarjes.