PD kërkon anulimin e tenderit 15 mln euro për avionët zjarrfikës, Ministria e Mbrojtjes hedh poshtë akuzat


Partia Demokratike ka kërkuar anulimin e procedurës së prokurimit për blerjen e tre avionëve për shuarjen e zjarreve, me një fond prej rreth 15 milionë eurosh, duke i bërë thirrje SPAK-ut të nisë hetime mbi këtë çështje.

Sipas opozitës, dokumentet e publikuara në media ngrenë dyshime mbi mënyrën e zhvillimit të tenderit dhe menaxhimin e fondeve publike. PD pretendon se kompania e shpallur fituese, Air Tractor Europe S.L., është përfshirë në procese gjyqësore në Spanjë që lidhen me manipulime tenderësh dhe korrupsion në sektorin e avionëve për shuarjen e zjarreve, rrethana që, sipas saj, duhej të ishin marrë në konsideratë gjatë vlerësimit të ofertave.

Për këtë arsye, Partia Demokratike kërkon anulimin e menjëhershëm të tenderit dhe një hetim të plotë për përgjegjësit e përfshirë.

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes i ka hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se procedura është zhvilluar në përputhje me ligjin shqiptar për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, mbi bazën e parimeve të transparencës, konkurrencës dhe trajtimit të barabartë.

Ministria sqaron se në garë kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë dhe se kompania fituese është përzgjedhur pasi ka paraqitur ofertën me çmimin më të ulët. Sipas saj, operatori tjetër u skualifikua pasi nuk plotësonte kriteret ligjore të kualifikimit, si dhe kërkesat për kapacitet ekonomik e teknik.

Lidhur me pretendimet për kompaninë fituese, Ministria thekson se AVIATION TRADE EUROPE, S.L. ka paraqitur certifikatën e regjistrit penal që vërteton mungesën e rekordeve penale dhe se nuk ekziston asnjë ndalim ligjor që e pengon të marrë pjesë në procedurat e prokurimit publik. Sipas institucionit, procesi gjyqësor i përmendur në Spanjë nuk ka marrë ende formë të prerë dhe, për rrjedhojë, nuk prodhon pasoja juridike për përjashtimin e kompanisë.

Në reagimin e saj, Ministria e Mbrojtjes shton se kompania ka vijuar të lidhë kontrata me institucione të vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, ndërsa e cilëson blerjen e tre avionëve zjarrfikës si një investim strategjik për forcimin e kapaciteteve të reagimit ndaj emergjencave dhe mbrojtjen e qytetarëve, pronës dhe mjedisit.