PD çon në Kushtetuese marrëveshjen e huasë 302 mln euro me SHBA për pajisje ushtarake, Bardhi: Janë shkelur 7 nene procedurale

Partia Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese ankimimin ndaj ligjit që ratifikon marrëveshjen e huasë prej 302 milionë eurosh mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara për blerjen e pajisjeve ushtarake.

Në një konferencë për mediat, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita mbështet në parim marrëveshjen me SHBA-në, pasi ajo kontribuon në modernizimin e Forcave të Armatosura dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj NATO-s, por kundërshton procedurën e ndjekur nga mazhoranca për miratimin e saj.

Sipas Bardhit, Kuvendi ka shkelur Kushtetutën në shtatë pika, duke mos respektuar afatet ligjore dhe duke u mohuar deputetëve të drejtën për t’u njohur me dokumentacionin, për të debatuar dhe për të ushtruar kontrollin parlamentar mbi marrëveshjen.

Ai tha se opozita kishte paralajmëruar gjatë seancës plenare se do ta çonte çështjen në Gjykatën Kushtetuese nëse procedura do të vijonte, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se imponoi një vendimmarrje politike, duke e kthyer Kuvendin në “noter të vendimeve të qeverisë”.

PD argumenton se janë shkelur, mes të tjerash, e drejta e deputetëve për t’u njohur me projektligjin dhe efektet financiare të tij, afatet kushtetuese për shqyrtimin parlamentar, e drejta e pakicës për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese përpara ratifikimit, si edhe dispozitat që lidhen me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, për shkak të klasifikimit të saj si sekret.

Përmes këtij ankimi, Partia Demokratike kërkon që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë përputhshmërinë me Kushtetutën të procedurës së ndjekur për miratimin e marrëveshjes.