Pas zjarrit në fermen blegtorale ne Patos, institucionet në terren për vlerësimin e dëmeve

Deputetja e Partisë Socialiste, Antoneta Dhima, së bashku me Prefektin e Qarkut Fier, Anduel Xhindi, ishin në Patos për të parë nga afër situatën në fermen blegtorale te familjes Sanxhaku, i cili u përfshi nga flakët një ditë më parë.

Gjatë vizitës, ata u njohën me dëmet e shkaktuara nga zjarri dhe theksuan rëndësinë e koordinimit të institucioneve për të ofruar mbështetjen e nevojshme, në mënyrë që familja të përballojë sa më shpejt pasojat e kësaj fatkeqësie.

Dhima dhe Xhindi vlerësuan se solidariteti dhe reagimi i shpejtë i institucioneve vendore dhe qendrore janë thelbësore në raste të tilla, duke garantuar mbështetje për familjet e prekura.

Një falënderim i veçantë iu drejtua punonjësve të shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Patos dhe efektivëve të zjarrfikëses së kompanisë Albpetrol sh.a., të cilët me ndërhyrjen e tyre profesionale arritën të vënë nën kontroll flakët dhe të minimizojnë dëmet.