Revista franceze “Paris Match” i ka kushtuar një artikull protestave që po zhvillohen prej 38 ditësh radhazi në Tiranë, duke theksuar se ato kanë nisur si kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec dhe janë shndërruar në një revoltë më të gjerë kundër qeverisë.
Sipas artikullit, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga projekti dhe ka akuzuar forca e agjentura të huaja për nxitjen e protestave. “Paris Match” citon gjithashtu deklaratat e Ramës se projekti ende nuk është miratuar dhe se në të janë përfshirë “ekspertët më të mirë” me synimin për të krijuar “diçka unike”.
Revista ndalet edhe te protesta në lagunën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, ku qytetarët dhe aktivistët mjedisorë kundërshtojnë ndërtimin e projektit, duke paralajmëruar pasoja për biodiversitetin. Në artikull citohet edhe Emiljona Puja, e cila shprehet se shkatërrimi i zonës së mbrojtur do të ishte fatal për ekosistemin.
“Paris Match” përshkruan flamingot rozë, të mbajtura nga protestuesit, si simbol të lëvizjes dhe raporton gjithashtu për protestën e zhvilluar në Paris nga qindra qytetarë me origjinë shqiptare, të cilët shprehën mbështetje për protestuesit në Shqipëri dhe ngritën akuza ndaj qeverisë për mosrespektim të vullnetit të qytetarëve.










