Pakënaqësia e 15-vjeçarëve me jetën në Shqipëri është rritur në katër vitet...

Pakënaqësia e 15-vjeçarëve me jetën në Shqipëri është rritur në katër vitet e fundit

11
SHPËRNDAJE

Përveç rënies së nivelit mësimor në shkollat shqiptare, anketa globale e 15-vjeçarëve (PISA) gjeti se, ndër nxënësit shqiptarë, pakënaqësia ndaj jetës është rritur.

Në vitin 2022 gati 12% e nxënësve në Shqipëri raportuan se nuk ishin të kënaqur me jetën e tyre. Ata e vlerësuan kënaqësinë e tyre me jetën midis 0 dhe 4 në një shkallë që varioi nga 0 në 10.

Përveç testit për njohuritë mësimore, PISA zhvillon edhe një anketë me nxënësit dhe drejtuesit e shkollave për të matur fenomenet që prekin nxënësit të tilla si bullizmi. mjedisi shkollor në tërësi edhe në aspektin e infrastrukturës, logjistikës për zhvillimin normal të mësimit.

Në vitin 2022, 86% e nxënësve në Shqipëri raportuan se bëjnë miq lehtësisht në shkollë (mesatarja e OECD: 76%) dhe 85% mendonin se i përkasin shkollës (mesatarja e OECD: 75%).

Ndërkohë, 15% raportuan se ndiheshin të vetmuar në shkollë dhe 15% si një i huaj ose i lënë jashtë vëmendjes në shkollë.

75% e nxënësve në Shqipëri raportuan se, në shumicën e orëve të matematikës, mësuesi tregon interes për të mësuarit e çdo nxënësi, teksa në vitin 2012 rreth 78% e nxënësve mendonin në këtë mënyrë.

Anketa e PISA verifikoi se shumë nxënës studiojnë matematikën në një klimë disiplinore që nuk është e favorshme për të mësuar. Në vitin 2022, rreth 25% e studentëve në Shqipëri raportuan se nuk mund të punojnë mirë në shumicën ose në të gjitha mësimet (mesatarja e OECD: 23%).

Gjithashtu 28% e nxënësve nuk dëgjojnë çfarë thotë mësuesi, 25% e studentëve shpërqendrohen duke përdorur pajisjet digjitale dhe 24% shpërqendrohen nga studentët e tjerë që përdorin pajisje digjitale.

Të dhënat e PISA 2022 tregojnë se në sistemet arsimore ku përformanca mbeti e lartë dhe ndjenja e kënaqësisë së nxënësve u përmirësua, ata prireshin të ndiheshin më të sigurt dhe më pak të ekspozuar ndaj bullizmit dhe rreziqeve të tjera në shkollën e tyre.

Në Shqipëri, 8% e nxënësve raportuan se nuk ndiheshin të sigurt rrugës për në shkollë, 6% e nxënësve raportuan se nuk ndiheshin të sigurt në klasat e tyre në shkollë, 9% e nxënësve raportuan se nuk ndiheshin të sigurt në vende të tjera në shkollë (p.sh. korridor, kafene, banjë).

Të dhënat e PISA-s të mbledhura nga drejtorët e shkollave tregojnë se përqindja e prindërve që ishin të përfshirë në shkollë dhe mësim është ulur ndjeshëm midis 2018 dhe 2022 në shumë vende, por edhe në Shqipëri.

Në vitin 2022 rezultojnë se janë interesuar rreth 52% e prindërve për rezultatet dhe ecurinë mësimore të fëmijëve të tyre në krahasim me 70% që ishte ky tregues me 2018.

S'KA KOMENTE