Një operacion i gjerë policor i zhvilluar në të gjithë Italinë ka goditur rrjetet e trafikut të drogës dhe armëmbajtjes pa leje, duke çuar në mbi 1 300 arrestime dhe mijëra procedime penale.
Sipas autoriteteve italiane, aksioni i koordinuar nga strukturat qendrore të policisë u zhvillua në disa qytete dhe kishte si objektiv rritjen e sigurisë në zonat më problematike urbane, përfshirë lagjet me kriminalitet të lartë dhe zonat pranë lokaleve të natës.
Bilanci i operacionit përfshin 1 335 arrestime dhe 2 358 procedime penale, ndërsa gjatë kontrolleve janë identifikuar rreth 297 mijë persona, mes tyre edhe mijëra të mitur.
Policia italiane ka sekuestruar 430-450 kilogramë lëndë narkotike, përfshirë kokainë, kanabis dhe heroinë, si dhe 111 armë zjarri, ndër to armë automatike, armë lufte dhe sasi të konsiderueshme municionesh.
Gjatë kontrolleve janë gjetur gjithashtu qindra armë të ftohta dhe mjete të ndaluara, si thika, shkopinj dhe elektroshokë, veçanërisht në posedim të të rinjve.
Operacioni ka përfshirë edhe qytetin e Barit, ku janë kryer arrestime të shumta dhe janë sekuestruar sasi të tjera droge dhe armësh, në kuadër të masave të shtuara kundër kriminalitetit të organizuar.
Autoritetet italiane e kanë cilësuar ndërhyrjen si një nga operacionet më të mëdha të viteve të fundit në luftën kundër trafikut të drogës dhe posedimit të paligjshëm të armëve në nivel kombëtar.










