Nga data 5 gusht, kush kapet i dehur dy herë në timon, humbet patentën

Drejtuesit e automjeteve duhet të përgatiten për një sërë rregullash të reja, pasi nga 5 gushti hyjnë në fuqi ndryshimet në Kodin Rrugor, të cilat parashikojnë ndëshkime më të ashpra për shkelësit.

Sipas ligjit të ri, personat që kapen duke drejtuar automjet pa leje drejtimi nuk do të mund të pajisen me patentë për 1 vit, ndërsa për të miturit kjo periudhë shtyhet me 2 vjet nga momenti kur u lind e drejta ligjore për ta marrë atë.

Rregulla të veçanta zbatohen edhe për drejtuesit që kanë marrë patentën e kategorisë B gjatë dy viteve të fundit. Për ta, niveli i lejuar i alkoolit është zero, ndërsa shpejtësia maksimale kufizohet në 90 km/orë në autostrada dhe rrugë interurbane kryesore, si dhe 80 km/orë jashtë zonave të banuara. Shkelja e këtyre kufijve ndëshkohet me gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës për një muaj dhe heqje pikësh.

Ndryshimet ashpërsojnë edhe masat ndaj drejtuesve që përsërisin shkeljen e drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit. Kush kapet sërish me nivel alkooli mbi 0.5 g/l në gjak, pasi është ndëshkuar më parë për të njëjtën shkelje, rrezikon heqjen përfundimtare të lejes së drejtimit.

Po ashtu, gjoba më të larta, nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë, do të vendosen për garat e shpejtësisë, manovrat agresive dhe sjelljet që rrezikojnë përdoruesit e tjerë të rrugës.

Një tjetër risi është ndalimi i përdorimit të telefonit celular të mbajtur në dorë gjatë drejtimit, jo vetëm për automjetet, por edhe për biçikletat, motomjetet deri në 50 cc dhe monopatinat me motor.