Rritja e çmimit të naftës në 206 lekë për litër ka shtuar presionin mbi operatorët e transportit publik, të cilët i janë drejtuar sërish qeverisë me kërkesë për një paketë të re subvencionimi.
Pavarësisht miratimit të një fondi prej 250 milionë lekësh për kompensimin e kostove të karburantit për muajt mars, prill dhe maj, deri më tani asnjë kompani nuk ka përfituar pagesat. Sipas operatorëve, vonesat lidhen me procedurat e gjata të verifikimit dhe shpërndarjes së fondeve.
Interesi për skemën ka qenë i ulët. Nga mbi 200 kompani të transportit urban, rrethqytetës dhe ndërqytetës që operojnë në vend, vetëm 26 kanë aplikuar deri tani. Aplikimet janë të hapura deri më 1 gusht 2026.
Përfaqësuesit e sektorit thonë se kompanitë e vogla hasin vështirësi në plotësimin e dokumentacionit të kërkuar, ndërsa paralajmërojnë se rritja e vazhdueshme e çmimit të karburantit, kostot e mirëmbajtjes, pagat dhe detyrimet fiskale po rëndojnë ndjeshëm aktivitetin.
Javën e ardhshme pritet një takim mes institucioneve dhe shoqatave të transportit për të diskutuar zgjidhje. Operatorët paralajmërojnë se, nëse kompensimi nuk disbursohet në kohë, disa kompani mund të reduktojnë shërbimin ose të pezullojnë aktivitetin në linja të caktuara. Ndërkohë, qytetarët vazhdojnë të shprehin pakënaqësi për cilësinë e shërbimit, duke denoncuar autobusë pa kondicioner dhe mosrespektim të orareve.










