Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka kërkuar rikthimin e Bordit të Transparencës, pas rritjes së çmimit të naftës në vend, e cila ka arritur në 214–216 lekë për litër, ndërsa nafta premium tregtohet deri në 230 lekë për litër.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Braçe akuzon tregtarët se kanë rritur çmimet në mënyrë të qëllimshme në prag të fundjavës, kur sipas tij regjistrohet fluksi më i madh i pushuesve që lëvizin drejt dhe nga destinacionet turistike.
Sipas deputetit socialist, kjo situatë rrezikon t’i japë një goditje të rëndë sezonit turistik, duke e bërë lëvizjen më të kushtueshme për qytetarët dhe turistët.
Braçe kujton se një javë më parë kishte paralajmëruar nevojën për rikthimin e Bordit të Transparencës, duke argumentuar se mungesa e tij ka krijuar hapësirë për rritje të pajustifikuara të çmimeve.
“Duhet bordi që këta të mos i japin një goditje fatale sezonit në kulmin e tij, duke shtrenjtuar e thuajse kufizuar lëvizshmërinë nëpër destinacionet e këtij vendi”, shprehet Braçe në reagimin e tij.










