58 mijë e 444 mjete janë regjistruar për herë të parë në Shqipëri gjatë shtatë muajve të parë të vitit, duke shënuar një rritje prej 1.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), autoveturat vijojnë të dominojnë tregun. Nga totali i regjistrimeve, 46 mijë e 446 janë autovetura, ose 79.5% e të gjitha mjeteve të regjistruara për herë të parë gjatë periudhës janar-korrik.
Ajo që bie më shumë në sy është origjina e automjeteve. Koreja e Jugut kryeson listën me 25.5% të totalit, e ndjekur nga Kina me 16.2%. Të dyja vendet aziatike përfaqësojnë së bashku 41.7% të të gjitha mjeteve të regjistruara për herë të parë.
Pas tregjeve aziatike renditen vendet europiane. Gjermania përbën 11.9% të totalit, ndërsa Italia 11.7%, duke vijuar të kenë një peshë të rëndësishme në tregun shqiptar të automjeteve.
Në listë vijojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 8.3% dhe Zvicra me 6.8%.
Shifrat e DPSHTRR-së tregojnë një ndryshim të dukshëm në strukturën e tregut shqiptar të automjeteve, ku mjetet me origjinë nga Koreja e Jugut dhe Kina tashmë përbëjnë një pjesë shumë të rëndësishme të regjistrimeve të reja.










