Mitsotakis: Greqia përballet me kushte ekstreme, ditët në vijim do të jenë jashtëzakonisht të vështira

Greqia vijon të përballet me zjarre të mëdha, të favorizuara nga temperaturat e larta, thatësira dhe erërat e forta, ndërsa kryeministri Kyriakos Mitsotakis paralajmëroi se ditët në vijim do të jenë “jashtëzakonisht të vështira”.

Në një postim në Facebook, Mitsotakis deklaroi se vendi ndodhet përballë kushteve ekstreme të motit, me erëra që arrijnë deri në 100 kilometra në orë, duke vështirësuar ndjeshëm ndërhyrjen e mjeteve ajrore në shuarjen e flakëve.

“Ka momente kur natyra dhe intensiteti i fenomeneve të motit tejkalojnë çdo planifikim njerëzor dhe çdo aftësi operacionale”, u shpreh ai.

Zjarret nuk kanë prekur vetëm Greqinë. Që nga mesi i korrikut, Franca, Spanja dhe Portugalia janë përfshirë nga vatra të mëdha, duke detyruar qindra mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre.

Autoritetet në Madrid i kanë cilësuar zjarret e këtij viti si më të rëndat në historinë e rajonit. Sipas të dhënave të Bashkimit Evropian, gjatë vitit 2026 në Spanjë janë djegur mbi 200 mijë hektarë tokë, rreth pesë herë më shumë se mesatarja e së njëjtës periudhë në vitet e mëparshme.

Në Francë, presidenti Emmanuel Macron e përshkroi zjarrin e madh në rajonin Gironde si “krejtësisht të paprecedentë”, ndërsa edhe Mbretëria e Bashkuar po përballet me një numër të lartë vatrash zjarri.