Ballina Shqiperia ime Mbyllet seanca maratonë pas 8 orësh, Gjykata e Fierit lë në burg...

Mbyllet seanca maratonë pas 8 orësh, Gjykata e Fierit lë në burg CEO-n kinez dhe ish-drejtorin! Konfirmohen masat dhe për 7 të tjerët

Pas një seance maratone prej 8 orësh, Gjykata e Fierit ka lënë në burg CEO-n kinez të kompanisë Bankers, Hong Ping Xiao, dhe ish-CEO Leonidha Çobo. Po ashtu, gjyqtarja Gladiola Bregu konfirmoi masat e sigurisë edhe për 7 persona e tjerë, punonjës të sektorit Financiar dhe të departamentit Juridik.

Seanca maratonë nisi në orën 09:00 të mëngjesit dhe zgjati deri në 17:30, ku kryeprokurori i Fierit, Elion Mustafaj ka paraqitur fillimisht kërkesën për caktim të masave të sigurisë, e cila përmbante një material voluminoz prej 120 faqesh. Më pas, të gjitha palët kanë dhënë pretendimet e tyre, ndërsa burimet bëjnë me dije se të gjithë të akuzuarit janë shprehur se janë të pafajshëm, duke pranuar asnjë nga akuzat e ngritura nga Prokuroria e Fierit për pastrim parash apo shpërdorim detyre.

Avokatit Maksim Sota tha se çdo pretendim për fshehje të të ardhurave gjatë periudhës kur administrimi i Bankers është kryer nga Çobo, është trajtuar nga Gjykata e Arbitrazhit në Paris, duke theksuar se po i dëmtohet imazhi me akuza të padrejta.

Gjykata e Fierit lëshoi 14 masa sigurie, ku 9 prej tyre u ekzekutuan, ndërsa 5 punonjës janë ende në kërkim. Hetimet për Bankers janë zhvilluar nga Prokuroria e Fierit, në bashkëpunim me strukturat tatimore dhe policore, dhe lidhen me dyshime për deklarime të rreme tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare në një shkallë masive. Prokuroria e Fierit ngriti 5 akuza në total, “Krijim i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në”, “Fshehje e të ardhurave”, “Pastrim i produkteve të veprës penale”, “Shpërdorim detyre” dhe “Moskryerje e detyrave nga organet tatimore”, duke argumentuar se ka grumbulluar prova të mjaftueshme.