Presidenti Bajram Begaj ka mbledhur këtë të hënë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në një takim ku në fokus kanë qenë zhvillimet e fundit dhe sfidat që lidhen me institucionet e sigurisë.
Në mbledhje, përveç anëtarëve të përcaktuar me ligj, janë ftuar edhe përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të SPAK. I pranishëm ka qenë edhe kreu i SPAK, Klodian Braho.
Sipas Presidencës, diskutimet janë përqendruar te forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, koordinimi me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, si dhe nevoja për rikthimin dhe forcimin e besimit të qytetarëve te institucionet.
Në përfundim të takimit është theksuar se institucionet e sigurisë nuk duhet të konkurrojnë me njëri-tjetrin, por të bashkëpunojnë në funksion të sigurisë kombëtare.
“Për sigurinë kombëtare, institucionet nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ato kanë përgjegjësi të ndryshme, por i shërbejnë të njëjtit interes, sigurisë së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në përfundimet e mbledhjes.
Një tjetër pikë e rëndësishme ka qenë pavarësia e hetimeve të drejtësisë dhe respektimi i tyre nga të gjitha institucionet.
“Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë”, thuhet në deklaratë.
Këshilli ka kërkuar gjithashtu më shumë transparencë, llogaridhënie dhe kontroll institucional, duke vënë theksin te përgjegjësia e institucioneve për t’u dëshmuar qytetarëve se sistemi ka mekanizmat e nevojshëm për të korrigjuar vetveten dhe për të mbrojtur interesin publik.
Në përfundim, është vlerësuar se Shqipëria disponon institucionet, kapacitetet profesionale dhe mbështetjen e partnerëve e aleatëve ndërkombëtarë për të përballuar sfidat në fushën e sigurisë.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare është organ këshillimor i Presidentit të Republikës dhe nuk merr vendime. Mbledhjet e tij zhvillohen me dyer të mbyllura.










