Mbi 4.800 automjete të amortizuara dalin nga qarkullimi, rriten me 28.5% çregjistrimet

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 janë çregjistruar përfundimisht 4.880 automjete me moshë mesatare 22-vjeçare, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR).

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i mjeteve të larguara nga qarkullimi është rritur me 28.5%. Sipas DPSHTRR-së, arsyet kryesore të çregjistrimit lidhen me mosplotësimin e standardeve të sigurisë, gjendjen teknike të papërshtatshme, amortizimin dhe konsumin e lartë të automjeteve.

Paralelisht, kontrollet teknike kanë vijuar në të gjitha qendrat e kontrollit në vend. Tirana kryeson me 73.224 mjete të testuara, ose 36.4% të totalit kombëtar. Pas saj renditen Durrësi me 27.950 kontrolle, Fieri me 17.639 dhe Elbasani me 13.128 mjete të kontrolluara.

Në Shkodër janë kryer 12.446 kontrolle teknike, në Laç 10.099, ndërsa në Berat, Vlorë dhe Korçë janë testuar nga rreth 9.000 deri në 10.000 automjete.

Numri më i ulët i kontrolleve është regjistruar në Dibër, Sarandë, Kukës dhe Gjirokastër, ku janë testuar nga rreth 4.000 deri në 5.000 mjete secila.

Sipas DPSHTRR-së, kontrolli teknik dhe largimi nga qarkullimi i automjeteve të amortizuara mbeten masa të rëndësishme për rritjen e sigurisë rrugore dhe përmirësimin e standardeve të flotës së mjeteve në vend.