Afro 32.300 fermerë kanë aplikuar deri më tani për të përfituar nga skemat e mbështetjes në bujqësi për vitin 2026, për të cilat fondi total i vënë në dispozicion arrin në 52 milionë euro.
Këtë vit, skema sjell disa risi të rëndësishme, ku bie në sy rritja e financimit për blegtorinë dhe bletarinë, si edhe ulja e pragut minimal të tufave për përfitim, çka pritet të zgjerojë numrin e fermerëve përfitues.
Sipas skemës së re, blegtorët me jo më pak se 5 krerë lopë ose mëshqerra do të përfitojnë 12 mijë lekë për krerë për tufën bazë të matrikulluar. Ndërkohë, fermerët me të paktën 50 dele ose dhi do të marrin 1500 lekë për krerë, ndërsa për bletarinë do të jepen 2 mijë lekë për çdo zgjua për aplikantët me minimumi 25 zgjoje.
Për herë të parë është përfshirë edhe mbështetja për dosa dhe paradosa të matrikulluara, me financim deri në 7 mijë lekë për krerë për fermerët me të paktën 5 krerë.
Një tjetër risi është financimi me 100 euro për hektar për sipërfaqet e mbjella me kultura bujqësore, për fermerët që disponojnë jo më pak se 3 hektarë tokë.
Ndërkohë, skema e naftës nuk do të zbatohet më si në vitet e kaluara, por mbështetja do të realizohet përmes rimbursimit të 10% të faturave të shitjes.
Qeveria ka parashikuar gjithashtu 2.5 miliardë lekë për skemën e investimeve, ku përfshihet grant prej 10 mijë eurosh për fermerët e rinj, si dhe mbështetje për ndërtimin apo rikonstruksionin e staneve dhe blerjen e pajisjeve bujqësore.
Afati i fundit për aplikim është data 26 qershor përmes platformës e-Albania, ndërsa për disa masa specifike aplikimi bëhet me dosje fizike pranë AZHBR-së.










