Masa të rrepta sigurie në Vlorë, mbi 200 efektivë policie para protestës kundër TEC-eve lundruese

Vlora është vendosur nën masa të shtuara sigurie këtë të shtunë, në prag të protestës së paralajmëruar nga shoqëria civile kundër vendosjes së TEC-eve lundruese në zonën e Triportit.

Mbi 200 efektivë policie janë dislokuar në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë tubimit. Në operacion janë angazhuar forcat e rendit, Njësia “Shqiponja”, Njësia Delta, si edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të ardhura nga disa qytete të vendit.

Sipas organizatorëve, protesta synon kundërshtimin e projektit për vendosjen e TEC-eve lundruese, ndërsa qytetarët kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të tij dhe më shumë transparencë nga institucionet përgjegjëse.

Protestuesit shprehen kundër rrethimit të zonës së Triportit, duke argumentuar se projekti mund të sjellë pasoja për mjedisin dhe komunitetin lokal.

Aktualisht, situata në zonë paraqitet e qetë, ndërsa vëmendja mbetet te zhvillimi i protestës dhe menaxhimi i saj nga autoritetet përgjatë ditës.