Një automjet tip “Golf”, i drejtuar nga një 16-vjeçar me inicialet D. C., ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor.
Kanë qenë kalimtarë të rastit ata që kanë njoftuar menjëherë policinë dhe ambulancën pasi kanë konstatuar aksidentin.
I mituri është transportuar me urgjencë në spitalin e Sarandës, ku pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se ka pësuar thyerje të këmbës dhe dëmtime të tjera të lehta në trup. Për shkak të nevojës për trajtim më të specializuar, pritet që ai të transportohet drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Në dëshminë e tij paraprake para policisë, 16-vjeçari ka deklaruar se dyshon se automjeti i tij mund të jetë fërkuar me një mjet tjetër para se të humbiste kontrollin, por ka theksuar se nuk e kujton qartë dinamikën e ngjarjes për shkak të tronditjes së pësuar.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.










