Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është liruar nga burgu, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.
Beqaj ishte arrestuar më 4 korrik 2024 në kuadër të hetimeve për dosjen e abuzimit me fondet e Bashkimit Evropian (SASPAC).
Sipas mbrojtjes, kërkesa për ndryshimin e masës u bazua në pretendimin se ishin tejkaluar afatet e paraburgimit. Avokati i Beqajt bëri të ditur se vendimi do të ekzekutohet brenda disa orësh dhe ish-ministri do të kthehet në banesën e tij.
“Gjykata mori më 27 korrik vendimin për kthimin pas të akteve të dosjes së prokurorisë. Kjo bashkon afatet e hetimit paraprak me ato të seancës paraprake, duke sjellë shuarjen e afateve të paraburgimit, pasi ka kaluar një periudhë e gjatë që nga arrestimi”, deklaroi avokati.
Një ditë më parë, GJKKO ndryshoi masën e sigurisë edhe për Ermal Kurtulajn, një tjetër i dyshuar në dosjen SASPAC.










