Policia e Shtetit ka ndërmarrë një tjetër valë lëvizjesh në strukturat drejtuese, duke prekur disa drejtori dhe komisariate në vend, mes tyre Sarandën, Beratin, Dibrën dhe Tropojën.
Sipas urdhrave të firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Dritan Lena, i cili mbante detyrën e Shefit të Sektorit të Planifikimit Operacional në Drejtorinë e Forcës Kombëtare të Sigurisë, është transferuar dhe emëruar Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.
Ndryshime janë bërë edhe në drejtimin e komisariateve. Kryekomisar Saimir Shkambaj largohet nga detyra e Shefit të Komisariatit të Policisë Tropojë dhe emërohet Shef i Komisariatit të Policisë Sarandë.
Ndërkohë, Komisar Feliks Hoda, i cili drejtonte Komisariatin e Policisë Sarandë, transferohet në Dibër, ku do të mbajë detyrën e Shefit të Komisariatit të Policisë Dibër.
Po ashtu, Komisar Andi Kano, deri tani Shef i Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë, është komanduar në krye të Komisariatit të Policisë Tropojë.
Këto lëvizje vijnë në një moment kur strukturat e Policisë së Shtetit po kalojnë një proces riorganizimi dhe rifreskimi të drejtuesve në disa qarqe të vendit.










