Kuvendi i Selenicës kundër reformës territoriale, banorët kërkojnë ruajtjen e bashkisë

Banorë, intelektualë, përfaqësues të Bashkisë së Selenicës dhe të fshatrave të zonës u mblodhën në qendër të qytetit për të zhvilluar Kuvendin e Selenicës, ku shprehën kundërshtimin ndaj reformës së re territoriale që parashikon shkrirjen e bashkisë.

Gjatë takimit, pjesëmarrësit diskutuan argumentet mbi ndryshimet e propozuara dhe pritet të përcaktojnë hapat që do të ndërmarrin për të mbrojtur statusin e Selenicës si njësi e pavarur e qeverisjes vendore.

Në fjalën e tyre, banorët dhe intelektualët kërkuan tërheqjen e projektit për reformën territoriale, duke argumentuar se bashkimi i Selenicës me Bashkinë e Vlorës do ta vështirësonte aksesin e qytetarëve në shërbimet publike.

Sipas tyre, një riorganizim i tillë rrezikon të reduktojë vëmendjen institucionale dhe investimet për zonën, duke e lënë Selenicën në një pozicion të pafavorshëm.

Pjesëmarrësit theksuan se ruajtja e Bashkisë së Selenicës është thelbësore për zhvillimin e zonës dhe për ofrimin e shërbimeve sa më pranë komunitetit.