Kufiri detar: Athina kërkon rifillimin e bisedimeve me Shqipërinë

Greqia po intensifikon përpjekjet për të ringjallur negociatat me Shqipërinë mbi përcaktimin e zonave detare, me synimin për të zhbllokuar një proces të ngrirë prej vitesh.

Sipas gazetës greke “To Vima”, Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Dendias, pritet të vizitojë Tiranën javën e ardhshme, ku do të zhvillojë bisedime të nivelit të lartë me autoritetet shqiptare.

Ai pritet të takohet me Ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nufi, si dhe me Kryeministrin Edi Rama. Fokus i takimeve do të jetë rifillimi i një iniciative dypalëshe të nisur në tetor 2020, kur të dy vendet deklaruan gatishmërinë për ta çuar mosmarrëveshjen për kufirin detar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Sipas medias greke, Athina dhe Tirana po synojnë të përfitojnë nga përmirësimi i klimës politike mes dy vendeve, në një kontekst më të gjerë të mbështetjes greke për përshpejtimin e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Në qendër të diskutimeve pritet të jetë hartimi i një marrëveshjeje formale që do t’u hapte rrugë të dy vendeve për t’ia referuar çështjen e shelfit kontinental dhe Zonës Ekonomike Ekskluzive (EEZ) arbitrazhit ndërkombëtar.