Konfindustria i ka bërë thirrje qeverisë të ndërhyjë menjëherë për uljen e ngarkesës totale fiskale mbi karburantet, me qëllim afrimin e çmimeve në tregun shqiptar me nivelet mesatare të vendeve të rajonit dhe të vendeve me të cilat Shqipëria konkurron në Bashkimin Evropian dhe më gjerë.
Në një reagim publik, organizata ka mirëpritur edhe riaktivizimin e Bordit të Karburanteve, megjithëse e cilëson këtë masë si të vonuar. Sipas Konfindustrisë, kërkesa për uljen e taksave dhe rikthimin e Bordit i është paraqitur qeverisë që në javën e parë të gushtit 2026.
Konfindustria paralajmëron se çmimet e larta të karburanteve po rëndojnë ndjeshëm ekonominë, duke rritur kostot për industrinë dhe prodhimin vendas. Sipas saj, vazhdimi i kësaj situate mund të sjellë pasoja të rënda për bizneset, përfshirë shtimin e rasteve të falimentimit, si dhe të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve.
“Gjendja e mësipërme rrezikon të sjellë edhe kolaps të ekonomisë në tërësi”, thuhet në reagimin e Konfindustrisë.
Organizata argumenton se përfituesit kryesorë të çmimeve të larta të karburanteve janë financat publike në afatshkurtër dhe, sipas saj, kompanitë e sektorit që sigurojnë fitime të jashtëzakonshme.










