Kerkohet ndryshimi i ligjit për Prefektin, do t’i jepet e drejta...

Kerkohet ndryshimi i ligjit për Prefektin, do t’i jepet e drejta të propozojë shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë

219
SHPËRNDAJE

Nga kompetenca për të propozuar shkarkimin e kryetarit të Bashkisë te ministri përgjegjës për çështjet vendore, detyra për monitorimin e zbatimit të projekteve me fonde të qeverisjes qendrore deri te marrja e raportimeve çdo 10 ditë nga Kryetari i Policisë Vendore për situatën e rendit parashikohet të jenë detyrat e reja të Prefektit të qarkut.

Ndryshimet e kompetencave të Prefektit të Qarkut janë parashikuar te projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2016, “Për prefektin e qarkut” i publikuar te konsultimet publike nga Ministria e Brendshme. Referuar relacionit shoqërues ndryshimet e propozuara synojnë të forcojnë rolin e prefektit të qarkut, si përfaqësues i Këshillit të Ministrave në qark. Domosdoshmëria e ndryshimeve ligjore, veçon relacioni, forcon rolin e Prefektit në qark për të mundësuar shërbime dhe qeverisje sa më pranë qytetarëve.

Por për ekspertët e pushtetit vendor disa nga kompetencat e reja që pritet t’i shtohen Prefektit të Qarkut, prevalojnë mbi ligjin aktual të vetëqeverisjes vendore ose në raste të caktuara mbivendosin autoritetin e Prefektit me autoritete të tjera.

Në projektligj është shtuar se një nga detyrat e Prefektit do të jetë të “propozojë pranë ministrit përgjegjës për çështjet vendore shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë pjesë e qarkut përkatës në rast të kryerjes së shkeljeve të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve”.

Në komentet e Agron Haxhimalit drejtorit ekzekutiv të Institutit të Bashkive, njëkohësisht edhe ekspertit për çështjet vendore, depozituar për projektligjin e ri në këtë fazë konsultimesh, theksohet se për këtë drejtë që i jepet Prefektit prevalon mbi ligjin e vetëqeverisjes vendore.

“Neni 62 i ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” përcakton: Shkarkimi i kryetarit të bashkisë Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur: a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve; b) dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata; c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.

Nëse edhe Prefektit do t’i jepet kjo e drejtë, i bie që ligji “Për Prefektin e Qarkut” të prevalojë mbi ligjin 139/2015 që nga hierarkia është më lart, dhe se bashkitë që janë institucione kushtetuese dhe të pavarura”.

Një tjetër ndryshim i propozuar në projektligj është që sipas pikës “k) Prefekti monitoron zbatimin e projekteve, programeve sektoriale në qark, që zhvillohen me fonde të kushtëzuara apo fonde të qeverisë qendrore, veçanërisht për sa i përket respektimit të afateve dhe cilësisë’. Procedura e monitorimit të zbatimit të politikave, projekteve e programeve sektoriale të qeverisë qendrore në nivel qarku  përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe l)sinjalizon institucionet përgjegjëse inspektuese duke propozuar fillim të procedurës së inspektimit për shkeljet e evidentuara”.

Haxhimali në komentet e tij thekson se të gjitha këto çështje te pika “k” dhe “l”, në një farë mënyre rikthejnë rolin e prefektit të dikurshëm që bënte auditime të fondeve. “Është një mbivendosje me autoritetet e tjera që kanë përgjegjësinë për të monitoruar këto fonde të kushtëzuara”, pohon ai.

Drafti parashikon ndër të tjera se drejtori i policisë vendore do të zhvillojë takime të përbashkëta dhe do të informojë çdo 10 ditë Prefektin e qarkut mbi shkallën e zbatimit të masave për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike në nivel qarku, sipas përgjegjësive e detyrave të përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore. Drejtori i Institutit të Bashkive thotë se ky nen prezanton një ndërveprim te ngarkuar. Ai propozon se ky ndryshim mund të riformulohet duke thënë se me kërkesë të Prefektit, drejtori i Policisë Vendore informon Prefektin mbi çështjet e sigurisë. MONITOR

S'KA KOMENTE