Ish-punonjësit e rafinerisë së Ballshit, qeveria vendos ti paguajë për periudhën janar-qershor...

Ish-punonjësit e rafinerisë së Ballshit, qeveria vendos ti paguajë për periudhën janar-qershor 2023, kush nuk përfiton?

120
SHPËRNDAJE

Qeveria do të nisë dhënien e pagesës kalimtare, në masën e pagës minimale në shkallë vendi, për punonjësit dhe ish-punonjësit e rafinerisë së naftës, Ballsh. Vendimi është marrë sot dhe pagesa kalimtare do të bëhet pas verifikimit nga zyra përkatëse e punësimit të listës emërore, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për punonjësit dhe ish-punonjësit e rafinerisë së naftës, Ballsh, për çdo muaj, për periudhën janar – qershor 2023.

Punonjësve, do t’u paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për pjesën e punëmarrësit e të punëdhënësit, për periudhën janar – qershor 2023, duke iu transferuar fondi përkatës Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Kriteret dhe dokumentacioni për përfitimin e ndihmës financiare

Pagesa kalimtare për punonjësit, jepet çdo muaj, për periudhën janar – qershor 2023, pranë zyrës së punësimit, ku kanë vendbanimin. Pagesa kalimtare përfitohet nga punonjësit, pavarësisht nëse kanë përfituar apo jo më parë ndihmë financiare, por përjashtohen personat që:

a) janë të punësuar apo të vetëpunësuar;

b) kanë dalë në pension pleqërie apo invaliditeti të plotë;

c) nuk janë rezidentë në Republikën e Shqipërisë.

Punonjësit kërkues duhet të paraqesin pranë zyrës përkatëse të punësimit të dhënat e mëposhtme identifikuese, si:

a) emrin, mbiemrin;

b) numrin personal të identifikimit;

c) llogarinë bankare, në bankën me të cilën ka marrëveshje zyra e punësimit;

ç) IBAN-in e llogarisë bankare.

Procedurat e verifikimit

Zyra përkatëse e punësimit, brenda 5 ditëve të para pune nga data e kërkesës, bën verifikimet përkatëse në sistemin tatimor mbi të dhënat e deklaruara nga kërkuesit.

Zyra përkatëse e punësimit, brenda 5 ditëve të para të çdo muaji, gjatë periudhës së përfitimit, bën verifikimet, përpilon listat përmbledhëse të përfituesve, të ndara për çdo bankë të nivelit të dytë, ku përfituesit kanë llogarinë rrjedhëse bankare, të cilat i dërgon pranë bankës së nivelit të dytë.

Lista duhet të përmbajë të dhënat e mëposhtme, si:

a) emrin, mbiemrin e përfituesit;

b) numrin personal të identifikimit të përfituesit;

c) bankën ku ka marrëveshjen zyra përkatëse e punësimit;

ç) IBAN-in e llogarisë bankare;

d) masën e pagesës.

Zyra përkatëse e punësimit ruan dhe administron dokumentacionin e përcaktuar sipas këtij vendimi, në përputhje me dispozitat ligjore e nënligjore të parashikuara për ruajtjen e dokumentacionit dhe arkivat.

Fondi prej 142 000 000 lekësh përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2023 për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, përkatësisht, në zërin “Pagesa e papunësisë”, të programit buxhetor 10550 “Tregu i punës”. Do të jetë ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi.

S'KA KOMENTE