Deputetja Marjana Koçeku, e cila u largua nga Partia Socialiste, ka reaguar ashpër ndaj idesë për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër, duke e lidhur këtë debat me zhvillimet e fundit në Kosovë.
Në një reagim publik, Koçeku kujton se në Zubin Potok kanë nisur gërmimet për një varrezë masive të dyshuar me 23 viktima të luftës së Kosovës, ndërsa deri tani janë gjetur trupat e gjashtë personave. Ajo thekson gjithashtu se gjatë operacioneve është gjetur armatim dhe është arrestuar një person që, sipas saj, ka qenë anëtar i Armatës Jugosllave.
“Ndërkohë që po ndodhin të gjitha këto, shteti shqiptar flet për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër. Po çfarë konsullate more?!”, shkruan Koçeku.
Sipas saj, institucionet shqiptare kanë dhënë vetëm sqarime të paqarta për këtë çështje, ndërsa argumentet për parime diplomatike, marrëdhënie dypalëshe dhe përfitime ekonomike nuk mund të lënë në hije, siç shprehet ajo, “realitetin e një populli të masakruar”.
Koçeku bën me dije se të dielën pritet të zhvillohen protesta në Shkodër kundër hapjes së konsullatës serbe, duke theksuar se kjo është një çështje që, sipas saj, “nuk kalon lehtë”.
“Ndërkohë që shteti shqiptar flet për konsullatë e fqinjësi të mirë me Serbinë, në Kosovë vazhdojnë të gjenden varre masive të të vrarëve edhe pas më shumë se 25 vitesh”, përfundon reagimi i deputetes.










