IGJEUM ngre alarmin: Rrezik i lartë zjarresh në 6 qarqe, Fieri mes zonave më të rrezikuara


Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) ka paralajmëruar për rrezik të lartë zjarresh gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme në gjashtë qarqe të vendit.

Sipas parashikimit, qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier dhe Berat do të jenë në nivel të lartë rreziku për përhapjen e zjarreve, ndërsa në pjesën tjetër të vendit rreziku parashikohet të jetë i moderuar.

IGJEUM bën të ditur se në disa zona të veçanta rreziku do të jetë lokalisht i lartë, konkretisht në jug të qarkut Shkodër, në perëndim të qarkut Dibër dhe në veriperëndim të qarkut Vlorë. Sipas ekspertëve, niveli më i lartë i rrezikut pritet gjatë ditës së sotme.

Për sa i përket motit, gjatë pasdites së sotme nuk parashikohen reshje, ndërsa nesër priten reshje të dobëta në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Korçë, si edhe lokalisht në Lezhë, Tiranë dhe Elbasan.

Temperaturat nesër do të luhaten nga 20 deri në 31°C në zonat bregdetare, nga 17 deri në 35°C në zonat e ulëta dhe nga 14 deri në 30°C në zonat malore. Era do të fryjë me intensitet të lehtë deri mesatar.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, veçanërisht në zonat me rrezik të lartë.