I kërkuari nga policia përplaset me 4 automjete dhe arratiset

Një person i shpallur në kërkim është përfshirë në një aksident rrugor mesditën e sotme pranë markatës së Fruta-Perimeve në Durrës, teksa po ndiqej nga policia.

Sipas informacioneve paraprake, gjatë tentativës për t’iu shmangur efektivëve, ai ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me katër automjete të tjera. Pas aksidentit, i dyshuari ka braktisur makinën dhe është larguar menjëherë nga vendngjarja.

Policia ka ngritur pika kontrolli në zonë dhe po vijon operacionin për kapjen e tij, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Fatmirësisht, nga aksidenti janë raportuar vetëm dëme materiale.