Një i dënuar ka ndërruar jetë këtë të martë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier.
Sipas burimeve paraprake, viktima është 52-vjeçari Artur Doku, banues në Burrel, i cili vuante dënimin për një vrasje të kryer në vitin 1997. Atij i kishin mbetur edhe 9 vite e 5 muaj për të shlyer nga dënimi.
Paraprakisht dyshohet se 52-vjeçari ka humbur jetën për shkaqe natyrale, pasi vuante nga probleme me zemrën. Pasi iu përkeqësua gjendja shëndetësore, ai u transportua drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku mjekët konstatuan vdekjen.
Trupi i pajetë është dërguar në morg për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore, ndërsa autoritetet kanë nisur veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rastit.
Sipas të dhënave paraprake, nuk ka dyshime për rrethana kriminale. Shkaku zyrtar i vdekjes pritet të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore.










