Një turiste 30-vjeçare nga Finlanda ka humbur jetën këtë të hënë pasi u ndje keq gjatë një zhytjeje në zonën e Spitalierës, në Vlorë.
Sipas informacioneve paraprake, e reja ka pësuar komplikacione gjatë zhytjes dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës. Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor, ajo nuk ka arritur të mbijetojë.
Mësohet se turistja ishte e shoqëruar nga një person tjetër, i cili ndodhet në gjendje të vetëdijshme dhe po merr trajtim mjekësor.
Policia dhe autoritetet përkatëse kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet pas ekspertizës mjeko-ligjore.










